Aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, ka reaguar ndaj deklaratave të ministres serbe, Snezhana Paunoviq, duke e akuzuar atë se është në dijeni të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, por megjithatë i relativizon ato përmes deklaratave të saj publike.
Kandiq ka rikujtuar se Paunoviq është e lindur në Pejë dhe se e di mirë se më 27 mars 1999 policia serbe dëboi pothuajse të gjithë popullsinë shqiptare nga qyteti.
Sipas saj, shqiptarët u detyruan të largoheshin në kolona, në këmbë drejt Malit të Zi, ndërsa shumë të tjerë u deportuan me autobusë drejt Shqipërisë.
“Ministrja Paunoviq është nga Peja. Ajo e di mirë se më 27 mars 1999 policia serbe dëboi nga Peja pothuajse të gjithë popullsinë shqiptare – se njerëzit largoheshin në këmbë, në kolona drejt Malit të Zi, ndërsa me autobusë deportoheshin në Shqipëri”, ka deklaruar Kandiq.
Ajo ka përmendur gjithashtu krimet e kryera në fshatrat Çyshk, Pavlan, Zahaq dhe Lubeniq, ku, sipas saj, civilët u vranë dhe më pas trupat e tyre u dogjën.
