Në këtë intervistë për platformën www.pasivizimi.com , deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, flet pos tjerash, për selektivitetin etnik të pasivizimit, mungesën e transparencës nga autoritetet shtetërore, reagimet ndërkombëtare dhe nevojën për presion diplomatik ndaj Serbisë. Sipas tij, pasivizimi po synon sot në zonat urbane të njëjtin efekt me atë që është bërë pas luftës në vendbanimet malore, kur janë zbrazur fshatra të tëra nga shqiptarët.
– Z.Kamberi, së fundi keni marrë dy përgjigje zyrtare nga instancat evropiane, ku theksohet edhe çështja e pasivizimit. Çfarë prisni konkretisht nga këto përgjigje?
Shaip Kamberi – Fakti që institucionet evropiane e kanë përfshirë çështjen e pasivizimit në komunikimet zyrtare është një hap i rëndësishëm. Kjo çështje duhet të bëhet pjesë e agjendës së bisedimeve të Serbisë me BE-në dhe të trajtohet si problem i të drejtave themelore të njeriut. Ndryshimi artificial i strukturës etnike të popullsisë është i ndaluar jo vetëm me normat ndërkombëtare, por edhe me vetë Kushtetutën e Serbisë. Prandaj, presim presion diplomatik më konkret dhe intensiv mbi autoritetet e Serbisë për ta ndalur këtë praktikë diskriminuese dhe për t’i rivendosur të drejtat ligjore të qytetarëve shqiptarë.
– Zyrtarët e Republikës së Serbisë mohojnë se procesi i pasivizimit është selektiv ndaj shqiptarëve dhe pohojnë se Ligji për Vendbanim dhe Vendqëndrim zbatohet njëjtë për të gjithë shtetasit e Republikës së Serbisë. Paralelisht, institucione ndërkombëtare dhe organizata kredibile joqeveritare kanë kërkuar hetime ndaj zbatimit të ligjit për procesin e pasivizimit duke ngritur dyshime për aplikim selektiv ndaj pakicës kombëtare shqiptare. Komenti juaj?
Shaip Kamberi – Mohimi është bërë kulturë politike zyrtare në Serbi. Prej mohimit të gjenocidit e krimeve të luftës që janë konstatuar me aktgjykime të plotfuqishme të Tribunalit ndërkombëtar, mohimi i diskriminimit sistematik dhe konkret, e deri te mohimi i pasivizimit etnikisht të motivuar si pjesë e agjendës së përditshme të autoriteteve serbe. Mohimi është në kundërshtim me realitetin, por meqë nuk ka një reagim ndërkombëtar më serioz, Serbisë i është dhënë komoditet për të vazhduar me këtë politikë. Flet fakti që vetëm shqiptarët e Luginës së Preshevës janë përballur masivisht me pasivizim, ndërsa asnjë komunitet tjetër jo. Nëse ligji zbatohej në mënyrë të barabartë, atëherë do të kishim shembuj edhe nga rajone të tjera të Serbisë. Raportet e Komitetit të Helsinkit dhe YIHR që flasin për pasivizim me prapavijë etnike, dëshmojnë se në komunat me shumicë dërmuese serbe në fqinjësi me komunat me shumicë shqiptare, sikurse Lebanja, pasivizimi është deri 0,02%, ndërkohë që në Medvegjë shkalla e pasivizimit është 40%. Kjo është dëshmi e qartë se ç’po ndodh. Kërkesa e institucioneve ndërkombëtare për hetime është dëshmi shtesë se dyshimet tona janë të bazuara dhe se pasivizimi është përdorur si instrument administrativ për ta ndryshuar strukturën etnike të rajonit, në fakt për ta legjitimuar një pastrim etnik që po ndodh në zemër të Evropës.
– Cilat janë faktet që keni për të dëshmuar se pasivizimi po zbatohet në mënyrë selektive ndaj shqiptarëve në Serbi?
Shaip Kamberi – Faktet janë të qarta: numri i madh i rasteve të pasivizimit ndodh vetëm në komunat ku shqiptarët përbëjnë shumicën ose një pjesë të konsiderueshme të popullsisë, pra në Preshevë, Bujanoc dhe sidomos në Medvegjë. Po ashtu, kemi raste të dokumentuara ku qytetarët shqiptarë, edhe pse jetojnë fizikisht në adresat e tyre, figurojnë të pasivizuar. Ky është diskriminim i drejtpërdrejtë. Për më tepër, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut dhe organizata të tjera ndërkombëtare kanë publikuar raporte që e konfirmojnë këtë praktikë selektive.
