Shaip Kamberi, deputet në Kuvendin e Serbisë, nga Lugina e Preshevës, ka thënë se diskriminimi ndaj shqiptarëve nuk është i rastësishëm dhe as procedural, por sistematik dhe i organizuar.
Një reagim i tij përmes rrjetit social ‘Facebook’ vjen si rrjedhojë e deklaratës së zëvendëskryeministrit të parë në detyrë, Besnik Bislimi, lidhur me bllokimin e mjeteve të destinuara për shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke shtuar se kjo vetëm sa e konfirmon publikisht atë që Kamberi prej vitesh e ka denoncuar në Kuvendin e Serbisë.
“Fakti që 3,650 nxënës shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë tashmë janë duke përdorur 35,448 tekste shkollore të financuara nga Qeveria e Kosovës, ndërsa pagesa përkatëse është refuzuar tri herë me një kod pa arsye të specifikuar, tregon më së miri shkallën e arbitraritetit administrativ me të cilin shqiptarët trajtohen në këtë shtet. Ky nuk është gabim bankar, por një metodë e qëllimshme për të bllokuar mbështetjen për komunitetin tonë. E njëjta logjikë e pengesave e pamë edhe me anulimin e vendimit për subvencionet bujqësore, edhe me vonesat e vazhdueshme për funksionimin e institucioneve tona përfaqësuese”, ka shkruar Kamberi.
