Kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka deklaruar se ShBA’ja do “ta ndajë Evropën” dhe se nuk “e pëlqen Bashkimin Evropian”, në një intervistë për Financial Times të premten, raporton Reuters.
Deklrata e saj vjen pas më shumë se një viti përplasjesh në marrëdhëniet transatlantike.
“Ajo që mendoj se është me të vërtetë e rëndësishme për të gjithë të kuptojnë është se SHBA-ja ka qenë shumë e qartë që ata duan të ndajnë Evropën. Ata nuk e pëlqejnë Bashkimin Evropian,”, ka deklaruar Kallas, përcjell Reporteri.net.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka targetuar në mënyrë të përsëritur Bashkimin Evropian gjatë mandatit të tij të dytë, duke vendosur tarifa ndaj vendeve anëtare dhe të tjera, dhe duke folur për aneksimin e Grenlandës, një veprim që mund të përfundojë në praktikë aleancën e NATO’s.
Këtë javë, administrata e Trumpit nisi hetime tregtare ndaj BE-së dhe vendeve të tjera, përfshirë Kinën, Indinë, Japoninë, Korenë e Jugut dhe Meksikën, për atë që tha se ishin praktika të padrejta tregtare. Në kuadër të hetimit, këto vende mund të përballen me tarifa të reja deri në verën e këtij viti, pasi Gjykata Supreme e SHBA-së rrëzoi pjesën më të madhe të programit të tarifave të Trumpit muajin e kaluar.
Kallas tha se qasja e Shteteve të Bashkuara ndaj BE-së pasqyron taktika të përdorura nga kundërshtarët e bllokut.