Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, tha se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës bien ndesh me detyrimet themelore të vendit ndaj BE-së dhe janë të papranueshme.
Duke folur para takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg, më 12 tetor, Kos kritikoi ndryshimin e rregullave ligjore ndërkohë që proceset gjyqësore janë ende në zhvillim.
“Dua të jem e qartë se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara në Kosovë bien ndesh me detyrimet themelore të Kosovës ndaj BE-së. Kjo është e papranueshme”, tha Kos.
Sipas saj, ndryshimi i rregullave gjatë zhvillimit të një procesi gjyqësor bie ndesh me standardet ndërkombëtare të sundimit të ligjit.
“Mesazhi im është shumë i thjeshtë. Zgjerimi evropian po ecën përpara. Nëse vendet kandidate bëjnë hapa prapa, ato nuk janë në rrugën e duhur dhe nuk do të mund të bëhen anëtare të BE-së”, tha ajo.
Deklarata e Kosit vjen pasi Kuvendi i Kosovës miratoi, javën e kaluar, ndryshimet në ligjin që rregullon funksionimin e Dhomave të Specializuara në Hagë, të njohura si Gjykata Speciale.
Ndryshimet u propozuan nga Partia Demokratike e Kosovës, vetëm pesë ditë pas aktgjykimit të 16 shtatorit, kur Dhomat e Specializuara dënuan ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre ish-udhëheqësit e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin – me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte.
Të katërt u deklaruan të pafajshëm gjatë gjithë procesit gjyqësor.
Ndryshimet ligjore synojnë të kufizojnë juridiksionin e Dhomave të Specializuara, duke ngushtuar periudhën kohore dhe kategoritë e veprave penale që ato mund të trajtojnë.
Ato parashohin, ndër të tjera, uljen e dënimit maksimal me burgim në 15 vjet, mundësinë e ankimimit në Gjykatën Supreme të Kosovës dhe vuajtjen e dënimeve në Kosovë.
BE-ja kërkon respektimin e pavarësisë së Speciales
Deklarata e Kallasit është paralajmërimi më i fundit nga BE-ja lidhur me ndryshimet ligjore.
Më 8 tetor, Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm deklaroi se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara janë në kundërshtim me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së.
Në reagim, BE-ja theksoi se Dhomat e Specializuara janë institucion i pavarur gjyqësor, i themeluar përmes vendimeve të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014 dhe 2015, dhe se mandati dhe pavarësia e tyre duhet të respektohen plotësisht.
BE-ja i bëri thirrje Kosovës të respektojë detyrimet ndërkombëtare, të garantojë pavarësinë e gjykatës, drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet, si dhe mbrojtjen dhe sigurinë e dëshmitarëve.
Shqetësime të ngjashme shprehu edhe Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë, duke theksuar se pavarësia e Dhomave të Specializuara nuk mund të cenohet.



