Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, Kaja Kallas, ka folur për mungesën e një takimi trepalësh mes Kosovës, Serbisë dhe BE’së si lehtësuese, duke përmendur bllokadën institucionale në Kosovë si arsye.
“Së pari, kam pasur shumë takime të nivelit të lartë, si me Kosovën ashtu edhe me Serbinë. Gjithashtu, kam marrë premtimin nga të dyja palët, nga liderët e tyre, që të ulemi së bashku, ne të tre. Kemi pasur edhe përgatitje për atë takim, sepse kemi një përfaqësues të posaçëm të BE-së për dialogun Beograd–Prishtinë, i cili po punon shumë, shumë intensivisht”, tha Kallas sot në një konferencë për media në Bruksel, raporton Gazeta Express.
“Tani, problemi është pak a shumë i njëjtë me atë që Marta Kos [Komisionerja për Zgjerim] e përmendi edhe sa i përket Kosovës. Për një vit, nuk kemi pasur vërtet një qeveri funksionale dhe institucione të konsoliduara. Kjo e ka penguar këtë marrëveshje trepalëshe — ose, më saktë, këtë takim”.

