Gazetari Shkumbin Kajtazi ka ngritur dyshime serioze për manipulime zgjedhore dhe blerje votash në komunën e Mitrovicës, në zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor. Ai ka deklaruar se dyshimet e tij kanë nisur pas mospërputhjeve të theksuara midis rezultateve zyrtare dhe Exit Poll-eve, gjë që ai tha nuk ka rastisur më parë në të kaluarën në këtë komunë.
Sipas tij, historikisht rezultatet e Mitrovicës në Exit Poll-e kanë qenë pothuajse identike me rezultatet përfundimtare, me margjina gabimi që nuk kanë kaluar 1%. Ai kujtoi se në zgjedhjet e vitit 2021, rezultati i Bedri Hamzës kishte devijuar vetëm 0.7%, duke përmendur saktësinë “milimetrike” të sondazheve të realizuara nga UBO Consulting.
“Unë fillimisht dyshimin e kam nis te huqja e Exit Polleve dhe te fakti se si është e mundshme që tri Exit Polle të realizuara nga institucione krejt të ndara, që janë madje edhe konkurrente në një formë – ia huqin në këtë masë. Kjo ka qenë pikëpyetja e parë. Kam hy edhe me shiku historikisht se si Mitrovica ka performuar në Exit Polle dhe në secilën matje të Exit Polleve, Mitrovica nuk ka lujtur më shumë se një për qind. Për shembull, në vitin 2021, margjina e gabimit te rezultati i Bedri Hamzës ka qenë vetëm 0.7. Pse e kam përmendur UBO-n është se pikërisht te UBO ka qëlluar ky rezultat. Sondazhet e UBO-s në këtë komunë janë me një saktësi milimetrike, pra as margjina e plotë e gabimit nuk është shfrytëzuar.” – tha Kajtazi.
Gazetari tha se pas zgejdhjeve, dy dëshmitarë janë lajmëruar në polici, duke raportuar lëvizje të personave me targa që nuk i përkisnin regjionit të Mitrovicës, të cilët, sipas tyre, qarkullonin mes lagjeve, sidomos në lagjen Shpikol.
