Protestuesit e iniciativës “Jo në emrin tim” kanë realizuar sot një aksion para Ministrisë së Drejtësisë, ku kanë vendosur një baner me mbishkrimin “Voto Ligjin”, duke kërkuar procedimin dhe miratimin e ligjit për mbrojtjen e UÇK-së.
Pas aksionit, aktivisti dhe protestuesi Rron Kafegjolli tha se qytetarët prej 17 ditësh po kërkojnë miratimin e këtij ligji dhe se vonesat janë të papranueshme.
“Jemi këtu sot, para Ministrisë së Drejtësisë, sepse koha e arsyetimeve ka skaduar”, deklaroi ai.
Kafegjolli tha se, sipas deklarimeve të kryeministrit Albin Kurti, ligji po mbahet i bllokuar në Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Financave.
“Ky nuk është një udhëzim çfarëdo që mund ta kaloni lart e poshtë nëpër zyre! Sepse bëhet fjalë për ligjin që mbron të vërtetën e UÇK-së, dhe ne nuk do të lejojmë zvarritjen e tij”, u shpreh ai.




