Kryetari i Sindikatës së Re të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Xhelal Jashari, ka deklaruar se rritja e pagave prej 60 eurosh e miratuar së fundmi nga bordi i KEK-ut nuk i përmbush kërkesat e punëtorëve, por e ka vlerësuar atë si një reflektim pozitiv të menaxhmentit dhe bordit ndaj kërkesave sindikale.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Jashari tha se sindikata ka kërkuar ngritje më të madhe të pagave, pagën e 13-të, si dhe kompensimin për rrezikshmërinë në punë.
“Që nga fillimi i këtij viti kemi pas kërkesa për ngritje të pagave, për pagën e 13-të. Mirëpo në fillim të shkurtit kemi arrit një marrëveshje për një bonus prej 300 euro përkohësisht, derisa të krijohen kushtet për ngritje të pagave. Së fundmi kemi pas negociata me menaxhmentin edhe bordin, me kërkesat për pagën e 13-të, për ngritje të pagave dhe rrezikshmërinë dhe dhënien e thëngjillit. Për dhënien e thëngjillit është aprovuar nga bordi, edhe ngritja e pagave është aprovuar në një shumë prej 60 euro. Kjo për punën që e bëjnë punëtorët e korporatës nuk është e kënaqshme, nuk është e mjaftueshme, nuk i plotëson as ato kërkesat minimale tona, por prapëseprapë është një reflektim i menaxhmentit, është një reflektim i bordit që tash e tutje do të ketë në vazhdimësi në bazë të performancës edhe ngritje të pagave por edhe ndonjë bonus tjetër”, tha ai.
Jashari tha se është miratuar edhe procesi për vlerësimin e rrezikshmërisë në vendet e punës, por theksoi se sindikata kishte kërkuar një rritje minimale prej 200 eurosh për secilin punëtor.
“Neve, kushtet për rrezikshmëri harrova ta ceki se është aprovuar edhe kjo, ka fituar një operator ekonomik, është duke u bërë vlerësimi i rrezikshmërisë, të riskut për secilin vend të punës, edhe aty shpresojmë që do të kryhet në afatin më optimal të mundshëm. Po ne kemi kërkuar atëherë minimumin 200 euro për secilin pozicion të vendeve të punës ngritje të pagave. Është ngrit kjo që është ngrit 60 euro, nuk është e kënaqshme. Ne do të vazhdojmë me aktivitetet sindikale, do të vazhdojmë komunikimet me menaxhmentin edhe bordin, në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje edhe më të këndshme për punëtorët e korporatës”, tha ai për EO.
Sipas tij, aktualisht ekziston dialog mes sindikatës dhe menaxhmentit, por nuk përjashtohen veprimet sindikale nëse mungon vullneti për përmirësimin e kushteve të punëtorëve.

