Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se dialogu me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës ka filluar me ministrin Hajrullah Çeku, duke e vlerësuar ndryshe qasjen e tij krahasuar me ish-ministren Arbërie Nagavci.
Jasharaj ka thënë për Ekonomia Online se kërkesa e parë e SBASHK-ut, pavarësisht se kush do të jetë në krye të ministrisë, do të jetë vazhdimi i dialogut jo vetëm me sindikatën, por edhe me prindërit dhe drejtoritë komunale të arsimit.
“Po të them të vërtetën publikisht e kemi thënë se ditët më të këqija i kemi kaluar me zonjën Nagavci, ku ka munguar tërësisht dialogu. Për të mirë dallon shumë ministri tani zoti Hajrullah Çeku nga se me të kërkuar takimin e ka ofruar këtë mundësi dhe jemi takuar dhe qoftë në aktivitetet tona, qoftë në aktivitetet e MASHT-it, janë pesë herë që jemi takuar brenda një muaji, një muaji e pak më shumë. Domethënë dialogu ka filluar me ministrin Çeku”, tha ai.
Jasharaj ka thënë se SBASHK-u është i gatshëm të vazhdojë dialogun për aq kohë sa, sipas tij, edhe pala tjetër e dëshmon gatishmërinë për të njëjtin.
“Jemi për dhe do të vazhdojmë ne, sa pala tjetër sa shembujt të mirë do të na japë për dialog do të vazhdojmë me dialog e nëse kjo praktikë nuk vazhdohet ne do të kemi edhe mundësi tjera. Urojmë që zoti Çeku nëse do të jetë prapë ministër ta vazhdojë këtë mënyrë të dialogut me ne, sepse e ka pa edhe ai se ne jemi korrekt dhe e respektojmë shumë palën tjetër kur ajo është e prirë për dialog. Pra për momentin dialogu është në rradhë të parë për ne besoj edhe për ministrin Çeku dhe uroj që ky rikthim i nisur të mos përfundojë nga asnjëra palë”, tha ai.
