Vëllai i Ajvaz Shehut, Qazim Shehu, ka rrëfyer dhimbjen e thellë për humbjen e familjarëve të tij në masakrën e Krushës së Vogël, duke e cilësuar këtë ngjarje si një nga përjetimet më të tmerrshme që nuk mund të përshkruhen me fjalë.
Në përvjetorin e kësaj masakre, familja Shehu i ka dhënë lamtumirën e fundit Ajvaz Shehut, i cili ishte vetëm 16 vjeç kur u zhduk me forcë më 26 mars 1999, pas një pritjeje të gjatë për identifikimin dhe rivarrimin e tij.
Shehu bëri të ditur se në mesin e viktimave ishin edhe nëntë anëtarë të familjes së tij.
Ai tregoi se Ajvazi ishte gjetur para 8 vitesh, por nëna e Ajvazit nuk kishte mundur ta pranonte humbjen e djalit të saj deri në fund të jetës, ndërsa shtoi se vendimi për rivarrim erdhi pas vdekjes së saj, duke qenë se tashmë disa nga familjarët janë të varrosur.
“Unë quhem Qazim Shehu, jam prej fshatit Krushë e Vogël. Historia e këtij fshati nuk është veç histori, asht nji rrëfim i tmerrshëm, një dhimbje që s’mund ta përshkruajë njeri që e pa ato çka ka ndodhur. Jo vetëm tek familjarët e mi, po aty kanë qenë prezent 109 persona. Unë, sipas të tjerëve, dëshmitarëve që kanë pas këtë rast po, që kanë qenë këta, ata kur i dëgjosh se çka kanë përjetu, i bëj pyetje vetes a thua mund njeri me bë këtë ”, tha ai.
“Mesin e këtyre kanë qenë 9 anëtarë të mi, që janë shtëpisë time baba, 4 vëllezër edhe 4 djemtë e vëllezërve. Në mesin e tyre është edhe Ajvazi. Ky është para 8 viteve i identifikuar. Po, siç thashë më herët, nëna e tij si çdo nënë nuk dëshironte ta pranonte që ai nuk ekziston. Edhe aty është problemi që unë, nëna para 6 viteve ka ndërru jetë, unë vendosa mbasi që 6 të tjerë i kam të varrosur, edhe këtë ta varros. Mu më mungojnë edhe dy vetë. Vëllai i madh edhe vëllai i dytë ”, tha ai.
