Gjykata Themelore në Ferizaj i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të miturit që dyshohet se ka therur dy persona dhe një zyrtar policor në dy ngjarje të ndara të ndodhura më 10 korrik në Ferizaj.
Vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ndërsa i mituri dyshohet për veprat penale “vrasje në tentativë”, “sulm ndaj personit zyrtar” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas dosjes së rastit, ngjarja e parë ka ndodhur më 10 korrik, rreth orës 07:50, në Parkun e Qytetit në Ferizaj.
Sipas dyshimeve të Prokurorisë, i mituri, i veshur me rroba ushtarake, me dorëza dhe i maskuar, ka sulmuar me thikë dy persona me inicialet I.M. dhe S.H., duke u shkaktuar lëndime të rënda trupore në pjesë vitale të trupit.
Pas sulmit, ai dyshohet se është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Ferizajt.
Sipas aktvendimit të gjykatës, rreth 20 minuta pas sulmit, i dyshuari është lokalizuar në oborrin e shtëpisë së gjyshes së tij në fshatin Greme të Ferizajt, ku ndodhej edhe nëna e tij dhe ku dyshohet se ishte fshehur pas largimit nga vendi i ngjarjes.
