Ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka reaguar lidhur me paralajmërimet e Qeverisë për rritjen e pagës minimale, duke e cilësuar këtë si një veprim me prapavijë elektorale dhe jashtë çdo kornize ligjore.
Sipas Reçicës, në një kohë kur vendi po përballet me paqëndrueshmëri politike dhe me mundësi reale për zgjedhje të jashtëzakonshme, ekzekutivi po tenton ta përdorë këtë temë si mjet propagandistik për përfitime politike, pa respektuar proceset ligjore që rregullojnë këtë çështje.
“Rritja e pagës minimale nuk është vendim politik, por proces ligjor që kërkon profesionalizëm, përgjegjësi dhe respektim të procedurave të përcaktuara në Ligjin e Punës. Qeveria mund ta përcaktojë atë vetëm mbi bazën e propozimit të Këshillit Ekonomiko-Social (KES),” ka theksuar Reçica.
