Paraqitja e Ish-ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, para dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë për të dëshmuar për Hashim Thaçin ka marrë vëmendje të madhe ndërkombëtare.
Për dëshminë e tij ka folur edhe ish-gjyqtari amerikan i EULEX-it, Dean Pineles, i cili thotë se James Rubin i njeh shumë mirë zhvillimet e asaj periudhe dhe se dëshmia e tij mund të rezultojë si shumë e rëndësishme.
“Mendoj se kjo mund të rezultojë të jetë shumë e rëndësishme. Së pari, James Rubin është një diplomat ish-përfaqësues shumë i respektuar dhe me përvojë të madhe. Ai ka qenë në terren në Kosovë gjatë periudhës së luftës. Ai krijoi një marrëdhënie me Hashim Thaçin në konferencën e paqes në Rambuje të Francës. Rubin gjithashtu ka bashkëpunuar me të gjatë demilitarizimit të UÇK-së dhe ka krijuar disa opinione shumë të rëndësishme rreth hierarkisë së UÇK-së dhe rolit të Thaçit brenda asaj hierarkie. Ai ka arritur në përfundimin se z. Thaçi ishte në thelb fytyra e UÇK-së por pa autoritet vendimmarrës dhe se ai nuk ishte në majën e hierarkisë qëë merrte të gjitha vendimet e rëndësishme në terren. Pra, mendoj se kjo dëshmi mund të jet shumë domethënëse sepse nëse pranohet, ajo minon teorinë e prokurorisë në këtë rast, që ishte se ekzistonte një hierarki shumë e rreptë dhe se z. Thaçi dhe bashkëpërgjegjësit e tjerë ishin në krye të saj dhe kishin autoritet vendimmarrës, duke i bërë ata përgjegjës si pjesë e një ndërmarrjeje kriminale të përbashkët për të gjitha krimet dhe mizoritë që ndodhën gjatë asaj periudhe të luftës dhe menjëherë pas saj. Pra, mendoj se gjykata do të duhet të shikojë shumë nga afër këtë dëshmi”, ka thënë Pineles.
