Teksa udhëheqësit e NATO-s përgatiten për samitin e rëndësishëm të 7-8 korrikut në Ankara, në mes të luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe tensioneve të ripërtërira në Lindjen e Mesme, ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), James Gilmore, thotë se aleanca po kalon nëpër një transformim të vështirë, por që në fund do ta forcojë atë dhe se nuk po hynë në një periudhë të dobësimit.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, James Gilmore, i cili shërbeu gjatë mandatit të parë të presidentit amerikan, Donald Trump, argumenton se presioni i Trumpit ndaj aleatëve evropianë ka përshpejtuar ndryshimet, këmbëngul se Ukraina “nuk mund të lejohet të dështojë” dhe thotë se NATO mbetet e domosdoshme si për sigurinë e Evropës, ashtu edhe për interesat kombëtare të SHBA-së.
Radio Evropa e Lirë: Po i afrohemi një samiti që shumëkush e përshkruan si një nga samitet më të rëndësishme të NATO-s në vitet e fundit. Presidenti Trump ka bërë thirrje vazhdimisht për një partneritet më të balancuar transatlantik. Nga këndvështrimi i SHBA-së, çfarë do të tregonte se ky raport po bëhet më i barabartë – jo vetëm në aspektin financiar, por edhe në atë strategjik?
James Gilmore: Së pari, jam shumë optimist për të ardhmen e NATO-s dhe për të ardhmen e botës. Është e vërtetë se po ndodh një rivendosje. Le ta shohim situatën e NATO-s në mënyrë realiste. Aleanca është zgjeruar me anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë. Kur shërbeja si ambasador – madje edhe më herët, kur isha ushtar i vendosur në Gjermani – askush nuk e mendonte se Suedia dhe Finlanda do t’i bashkoheshin NATO-s.
Kërkesat e presidentit që vendet anëtare të NATO-s të bëjnë më shumë për mbrojtjen e tyre dhe të rrisin shpenzimet për mbrojtje po zbatohen. Kjo do të marrë shumë kohë, gjë që tregon pse presidenti këmbënguli për këtë që në fillim, por ato vende do të shpenzojnë më shumë.
Dhe, Rusia po krijon sërish një moment uniteti për vendet e NATO-s sepse Moska përbën një kërcënim. Kjo është pjesë e asaj që unë e shoh si një lufte globale që po zhvillohet aktualisht.
Besoj se vendet evropiane të NATO-s janë disi të pasigurta për mënyrën se si vepron presidenti Trump, por sipas mendimit tim, rezultati përfundimtar i gjithë kësaj është shumë pozitiv.
Radio Evropa e Lirë: Ju argumentoni se presioni i presidentit Trump tashmë po jep rezultate. Teksa udhëheqësit mblidhen në Ankara, a besoni se Evropa e ka pranuar se duhet të marrë përsipër një pjesë më të madhe të barrës për sigurinë e saj, apo Uashingtoni ende po kërkon më shumë sesa Evropa është e gatshme të ofrojë?
James Gilmore: Pikë së pari, Uashingtoni nuk po kërkon ndonjë shifër të caktuar. Nuk besoj se ky është mesazhi që po përcillet. Ajo që po thuhet është se shtetet e NATO-s duhet të jenë të përgatitura për të mbrojtur veten. Nuk mendoj se deri më tani është sugjeruar që SHBA-ja do të tërhiqet nga NATO-ja ose do të heqë dorë nga roli i saj udhëheqëse në aleancë.
Po zhvillohet një proces i përshtatjes, por edhe një herë, jam i bindur se aleanca do t’ia dalë shumë mirë.
Sinqerisht, për një pjesë të madhe të kësaj duhet ta falënderojmë presidentin rus, Vladimir Putin, për shkak të agresionit të tij fashist ndaj Evropës dhe kërcënimeve të tij kundër shteteve të Baltikut, Polonisë dhe vendeve të tjera. Ai po krijon një shtysë të fuqishme drejt unitetit dhe kohezionit më të madh brenda NATO-s.
Radio Evropa e Lirë: Ju e përshkruani agresionin e Rusisë si forcën që po bashkon NATO-n. Duke iu kthyer çështjes së Ukrainës, si do të dukej realisht suksesi në rrethanat e sotme dhe çfarë roli duhet të vazhdojnë të luajnë Shtetet e Bashkuara?
James Gilmore: Një pjesë e madhe e kësaj varet nga vetë Ukraina – sa shumë mund t’i përballojë sulmet dhe vuajtjet e shkaktuara nga kriminelët e luftës në Moskë. Por, thënë këtë, Putin nuk duhet të lejohet të ketë sukses në Ukrainë.
Ukrainasit kanë zhvilluar disa nga metodat më moderne të luftimit me dronët e tyre. Ata po godasin Rusinë brenda territorit të saj, diçka që Putini nuk e kishte pritur kurrë. Ata po e izolojnë Krimenë. Ka pasur një kohë kur shumë njerëz mendonin se humbja e Krimesë nga Rusia ishte një fakt i kryer. Sot, kjo nuk është më e vërtetë. Mendoj se gjërat po lëvizin në drejtimin e duhur.
Është për keqardhje që po përballemi me këtë konflikt, sepse besoj se Evropa është e rëndësishme për sigurinë e SHBA-së. Por, SHBA-ja po e bën të qartë se nuk mund të përfitohet në kurriz të saj dhe mendoj se ky është ndryshimi pozitiv që po ndodh tani, teksa vendet e NATO-s po marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e tyre.
Radio Evropa e Lirë: Kjo ngre edhe çështjen se kush do ta mbajë barrën në kuptimin afatgjatë. Disa argumentojnë se Evropa duhet të marrë tani përgjegjësinë kryesore për sigurinë e Ukrainës, ndërsa Shtetet e Bashkuara ta përqendrojnë më shumë vëmendjen te përparësitë e tjera globale. A është ky ekuilibri i duhur, apo rrezikon të dobësojë parandalimin ndaj Rusisë?
James Gilmore: Në fakt, ju po bëni dy pyetje. Anëtarët evropianë të NATO-s tashmë kanë marrë rolin udhëheqës në mbështetjen e Ukrainës. Ata po blejnë armë amerikane, po furnizojnë edhe armët e tyre dhe po i dërgojnë këto kapacitete në Ukrainë.
