Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka folur për çështjen e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke vlerësuar se themelimi i tyre ishte rezultat i akuzave të ngritura në raportin e Dick Martyt dhe dokumentet e Këshillit të Evropës.
Pas vendimit të 16 shtatorit ku Gjykata Speciale iu shqiptoi 81 vite burgim 4shes në Hage, ndaj Hashim Thaçit 25 vite burgim, Jakup Krasniqit 25 vite burgim, Kadri Veselit 18 vite burgim dhe ndaj Rexhep Selimit 13 vite burgim, reagime të shumta pati në publik si nga fytyrat publike, por edhe nga qytetarë të shumtë.
Ish-kryeministri Isa Mustafa ka rikujtuar rrethanat në të cilat Kosova vendosi të themelonte Dhomat e Specializuara, duke theksuar se institucionet kosovare, sipas tij, kishin zgjedhur përballjen me drejtësinë ndërkombëtare duke pasur besim në sistemet juridike perëndimore.
Mustafa është ndalur veçanërisht te akuzat për trafikim të organeve njerëzore, të cilat i konsideron ndër arsyet kryesore që çuan në krijimin e kësaj gjykate. Ai ka thënë se Kosova mund të mos e themelonte atë, por se në atë periudhë kishte marrë paralajmërime nga partnerët strategjikë se, në një rast të tillë, një mekanizëm i tillë do të mund të krijohej nga Kombet e Bashkuara.
“Dhomat e soecializuara në Hagë janë themeluar si pasojë e akuzave morbide për trafikim të organeve njerëzore, të përmbajtura në raportin e Dick Martit dhe dokumentin e Këshillit të Evropës. Kosova e bindur se nuk qëndron as njëra as tjetra e ka pranuar sfidën e përballjes me drejtësinë ndërkombëtare. Do të mund të mos e themelonte Gjykatën speciale, por në atë kohë Kosovës iu tërhoq vërejtja nga partnerët e saj strategjik, se nëse ajo nuk e themelon këtë gjykatë, atëherë do ta themelojnë Kombet e Bashkuara”, tha Mustafa për lajmi.net
Sipas Mustafës, vendimi për themelimin e Dhomave të Specializuara duhet parë në kontekstin e rrethanave të asaj kohe dhe të besimit që Kosova kishte në drejtësinë ndërkombëtare perëndimore.
“Vendimi i Kosovës ka qenë i përgjegjshëm dhe madhor , sepse kishte besim në drejtësinë perëndimore dhe jo në drejtësinë që Rusia, Kina etj do ta ndanin për pjesëtarët e UÇK-së”.
“Është e nevojshme që edhe tani të sillemi në nivelin e përgjegjësisë në kontekstin e rrethanave dhe motiveve që shkaktuan themelimin e saj. Të vlerësojmë se kanë rënë poshtë akuzat për trafikim të organeve njerëzore dhe ato për krime kundër njerëzimit, që qëndronin si damkë e zezë për Kosovën dhe UÇK-në”, tregoi ai.
Ai gjithashtu ka deklaruar se, në rrethanat aktuale, çështja e Dhomave të Specializuara duhet të trajtohet në mënyrë juridike dhe politike, pa u udhëhequr nga emocionet. Në këtë kuadër, Mustafa ka kërkuar bashkëpunim të ngushtë të institucioneve të Kosovës me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Çështja e Dhomave të Specializuara meriton trajtim joemocional, juridik dhe politik. Fati i tyre duhet të trajtohet dhe të zgjidhet në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e BE-së dhe SHBA-ve. Njerëzit që luftuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës e tani të gjykuar në Hagë nuk mund të shndërrohen në peng të veprimeve të pakoordinuara në Kosovë, apo të mungesës së vullnetit për ti dhënë udhë drejtësisë”, tha ish-kryeministri i Kosovës.




