Pavarësisht se partitë ish-opozitare dhe parti të minoriteteve jo-serbe kanë deklaruar se nuk kanë votë për Vetëvendosjen, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka vendosur që të mandatojë, Glauk Kojufcën, si kandidat i dytë i VV-së për kryeministër.
Kur është pyetur për gjasat që Konjufca të votohet në këto rrethana kur s’ka sinjale të partive politike për votë ndryshe, Osmani për të arsyetuar vendimin e saj, ka thënë se në histori ka pasur raste kur deputetët kanë votuar ndryshe nga qëndrimi i partisë, duke nisur me shembullin e saj kur kishte votuar në vitin 2014 kundër zgjedhjes së Isa Mustafës kryeministër.
Ish-kreu i LDK-së, Isa Mustafa, në një intervistë të shkurtër për Gazetën Express, ka thënë se kjo deklaratë e Osmanit i ka bërë përshtypje dhe e ka bërë të mendojë se si dikush mundohet ta shesë si vlerë demokratike tek të tjerët “një tradhti” ndaj partisë së vet.
Mustafa thotë se kjo deklaratë e Osmanit ishte ftesë për tradhti, meqë “përmes asaj rruge do të ndodhë vlerësimi dhe avancimi nga Lëvizja Vetëvendosje.”
Sipas tij, deklarata e Presidentes tregon “një nivel të mjerë” të saj.
“E dëgjova dhe më la përshtypje! Mendova, si munden njerëzit që tradhtitë e tyre ndaj partisë që i ka ngritur dhe i ka bërë deputet të mundohen ti shesin si vlera demokratike për të tjerët. Ajo thjesht tha, unë e kam tradhtuar partinë time, i kam tradhtuar njerëzit që më kanë përkrahur dhe më kanë besuar. Kështu jam bërë presidente. Veproni edhe ju kështu dhe do të vlerësoheni dhe avancoheni nga VV-ja. Thjeshtë tregoi dhe predikoi që tradhtitë dhe mosdëgjueshmëritë brenda subjekte tjera të shërbejnë si kritere mbizotëruese për nominim të kandidatit të dytë për kryeministër. Ky ishte niveli i mjerë i Presidentes”, ka thënë Isa Mustafa për Express.
Ish-kryeministri dhe ish-kreu i LDK-së tutje është shprehur se mbase nuk do t’ia zinte për të madhe Osmanit një deklaratë të tillë, nëse Qeveria Kurti që u formua mbi një “tradhti” të tillë, do t’i kishte shërbyer Kosovës për të mirë.
