Irlanda po shqyrton mundësinë e rritjes së numrit të ushtarëve të saj në Kosovë, në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR.
Sipas mediave irlandeze, aktualisht rreth 13 ushtarë irlandezë janë pjesë e KFOR-it, ndërsa planifikuesit ushtarakë po vlerësojnë mundësinë e shtimit të trupave edhe në këtë mision, edhe në operacionin e Bashkimit Evropian në Bosnjë-Hercegovinë, EUFOR Althea, raporton The Irish Times.
Diskutimet për shtimin e pranisë ushtarake janë ende në fazat fillestare dhe deri më tani nuk është përcaktuar numri i ushtarëve që mund të angazhohen në këto misione.
Kjo mundësi po shqyrtohet pas vendimit për përfundimin gradual të misionit paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara, UNIFIL, në Libanin jugor, ku janë të angazhuar më shumë se 300 ushtarë irlandezë.
Tërheqja e trupave pritet të nisë në fillim të vitit të ardhshëm, duke i dhënë fund pranisë gati pesëdekadëshe të Irlandës në këtë rajon.
Përfaqësues të Forcave të Mbrojtjes së Irlandës i kanë kërkuar qeverisë që të identifikojë misione të reja ndërkombëtare ku mund të angazhohen ushtarët e vendit, me qëllim krijimin e mundësive të reja për personelin ushtarak dhe ruajtjen e kapaciteteve të ushtrisë.
Shefi i Shtabit të Forcave të Mbrojtjes së Irlandës, gjenerallejtënant Rossa Mulcahy, ka deklaruar se përfundimi i misionit në Liban do të jetë sfidë për ushtrinë irlandeze, por nuk do të shënojë fundin e angazhimit të saj në misionet ndërkombëtare.
