Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka dhënë lajmin e mirë për riparimin e kulmit të “Pallatit të Rinisë”, ku kishte rrjedhje uji.
Në një video në rrjetin social Facebook, Rama ka theksuar se tash artistët e talentuar janë të sigurt, përderisa theksoi se pavarësisht vonesave, arritën ta sanojnë problemin.
“Kam lajme të shkëlqyera nga kulmi i Pallatit të Rinisë, tashmë nuk ka rrjedhje, që nga sot artistët e talentuar në sallat tona do të jenë të sigurt e pa rrjedhje uji , ashtu si edhe bibilioteka e rinovuar rishtazi poshtë. Biblioteka e parë për fëmijë në vend ka me qenë faktikisht, e bërë falë përkushtimit të kryeqytetit dhe partnerëve të shkëlqyer “The Library Project”, e falënderoj edhe IKMM-në, edhe pse kanë qenë shumë të ngaldashëm, e janë vonuar tepër, por gjithsesi faleminderit që më në fund kemi mbërri me shty këtë proces përpara”, ka thënë i pari i kryeqytetit.
Rama ka falënderuar drejtorin Gëzim Kastrati. Rama theksoi se rezultatet e punës janë të mrekullueshme.
