Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka organizuar dhe realizuar një aksion të gjerë inspektues në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës dhe Inspektoratin Qendror të Punës, me qëllim të sigurimit të respektimit të standardeve ligjore, mbrojtja e konsumatorëve, garantimi i konkurrencës së ndershme në treg si dhe verifikimi i përmbushjes së obligimeve ligjore nga ana e subjekteve ekonomike.
Gjatë këtij aksioni janë inspektuar gjithsej 69 subjekte ekonomike, ku fokusi kryesor ka qenë mbikëqyrja më e gjerë e subjekteve ekonomike që ushtrojnë veprimtaritë e tyre që lidhen me fushën e hotelerisë dhe turizmit, respektivisht objekt i inspektimeve të përbashkëta kanë qenë kryesisht subjektet ekonomike që ushtrojnë veprimtari të villave dhe moteleve.
Inspektorët e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut konform kompetencave ligjore kanë bërë mbyllje të përkohshme të 26 subjekteve ekonomike në tërë territorin e Republikës së Kosovës, për shkak të mos regjistrimit të bizneseve si dhe mungesës së pëlqimit/aktvendimit për plotësimin e kushteve minimale teknike.
