Inspektorati Qendror i Punës u ka bërë thirrje punëkryerësve dhe investitorëve në sektorin e ndërtimtarisë që të respektojnë vendimet për ndalim të punimeve në kantieret ku janë konstatuar shkelje gjatë aksionit të fundit inspektues.
Në një njoftim zyrtar, ky institucion thekson se nuk duhet të ndërmerren veprime ndërtimore dhe as të hiqen shiritat bllokues deri në përmbushjen e plotë të kërkesave ligjore të vendosura nga inspektorët e punës.
Sipas njoftimit, çdo veprim në kundërshtim me këto vendime përbën shkelje të rregullave të sigurisë dhe shëndetit në punë, si dhe bie ndesh me nenin 358 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, që lidhet me asgjësimin, dëmtimin ose heqjen e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimin e sigurisë në vendin e punës. Autoritetet paralajmërojnë se ndaj shkelësve, përveç procedurave kundërvajtëse, do të iniciohen edhe procedura penale në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit.
Njoftimi i plotë:
NJOFTIM
Inspektorati Qendror i Punës njofton të gjithë punëkryerësit dhe investitorët në sektorin e ndërtimtarisë, të cilët gjatë aksionit të fundit të inspektimit për kushtet e punës dhe nivelin e organizimit të SSHP-së në kantieret e tyre ndërtimore kanë pasur të ndaluara punimet me vendim për ndalim, që të mos ndërmarrin veprime ndërtimore dhe të mos heqin shiritat bllokues deri në plotësimin e të gjitha kërkesave ligjore të përcaktuara nga inspektorët e punës.
