Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka shprehur shqetësim serioz lidhur me siç kanë thënë ata mungesën e vazhdueshme të konsideratës nga Qeveria në detyrë e Kosovës për thirrjet e përsëritura të Qeverisë së SHBA-ve, për të mbështetur përfshirjen e Kosovës në infrastrukturën dhe rrjetin e furnizimit me gaz të lëngshmë natyror.
Përmes një komunikate për media, OEAK ka thënë se Kosova po vazhdon të mbetet tejmase e varur nga kapacitetet e vjetruara gjeneruese, importet e mëdha të energjisë elektrike dhe në një treg rajonal energjetik gjithnjë e më të paqëndrueshëm, prandaj sipas tyre qasja në gazin e lëngshëm përveç që përfaqëson një mundësi energjetike është edhe një zgjedhje strategjike.
Ata kanë thënë se diversifikimi i burimeve të energjisë, rritja e sigurisë së furnizimit dhe forcimi i konkurrueshmërisë ekonomike duhet të mbeten ndër prioritetet kombëtare të Kosovës.
“Veçanërisht shqetësues është fakti se të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë shprehur zotimin e tyre për t’u bërë pjesë e infrastrukturës rajonale të LNG-së, e cila po zhvillohet me mbështetje të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kosova rrezikon të mbetet jashtë një kornize strategjike rajonale që po përcakton gjithnjë e më shumë të ardhmen e sigurisë energjetike dhe zhvillimit ekonomik në Evropën Juglindore”, thuhet në komunikatë.
