Njohësi i çështjeve të sigurisë Dorajt Imeri komentoi vizitën e presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky në Beograd dhe takimin e tij me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.
“Volodymyr Zelensky, sapo ke përqafuar hijen e Putinit në Ballkan: Aleksandar Vuçiç. Duhet ta them këtë: rrezikon të zhgënjehesh thellësisht nga kjo përpjekje për të gjetur miq të rinj në luftën tënde. Serbia nuk e ka dënuar agresionin e Rusisë kundër vendit tënd”, shkroi në X, Imeri.
Më herët gjatë ditës, mediat raportuan se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se politika e Ukrainës nuk ka ndryshuar sa i përket mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës.
“Ne respektojmë integritetin territorial të partnerëve tanë dhe të drejtën ndërkombëtare. Sa i përket Kosovës, qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar. Jemi mirënjohës ndaj Serbisë për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, përfshirë Krimenë”, tha Zelensky gjatë një konference për media në Beograd së bashku me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Pavarësisht se Kievi nuk e njeh pavarësinë e shpallur më 2008, Kosova i është bashkuar sanksioneve evropiane dhe të Shteteve të Bashkuara kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë. Prishtina po ashtu ka strehuar gazetarë ukrainas, që janë larguar nga vendi i tyre për shkak të luftës.
Ndërkaq, Vuçiq tha se me udhëheqësin ukrainas, shteti i të cilit po përballet me pushtimin e nisur nga Rusia në shkurt të vitit 2022, ka biseduar për bashkëpunimin ushtarak.

