I dyshuari për spiunazh, Fatmir Sheholli i cili u arrestua ditë më parë dhe iu caktua masa e paraburgimit prej një muaji, aktualisht është shtrirë në spitale për shkak të disa problemeve shëndetësore.
Drejtori i Spitalit të Gjilanit, Afrim Cana ka thënë se Sheholli aktualisht po trajtohet në Repartin e Internës në këtë spital.
“Pacienti është pranu dje (11.10.2025), ka ardhë me disa ndryshime në shëndet. Pas kontrolleve që i ka bërë në Emergjencën në Gjilan, ai është i hospitalizuar në Spital të Gjilanit, ku edhe është duke u trajtuar. Aktualisht është i shtrirë dhe po trajtohet në Repartin e Internës”, ka thënë për Reporteri.net Drejtori i Spitalit të Gjilanit, Afrim Cana.
Sipas dosjes së Prokurorisë, Sheholli thuhet se ka mbledhur informacione për kinse pronat e uzurpuara të serbëve në Kosovë dhe të njëjtat informacione i ka përcjell te BIA përmes komunikimeve telefonike.
Sipas Prokurorisë, Sheholli, sipas udhëzimeve dhe planeve të Dimicit, më 26 shtator të këtij viti në Mitrovicë të Veriut kishte marrë materiale, audio dhe transkripte të bisedave të zyrtarëve të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim që dyshohet se janë komprometuese si dhe një shumë të hollave si shpërblim për publikimin e tyre, të cilat pastaj i ka publikuar në media online.
