Lideri i Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviq, gëzon mbështetjen më të lartë neto mes politikanëve në Mal të Zi, sipas një hulumtimi të opinionit publik të realizuar gjatë javës së parë të qershorit 2026.
Sipas rezultateve të publikuara nga portali “24kroz7”, ish-kryeministri shqiptar i Malit të Zi, Abazoviq, kryeson listën e politikanëve me një rejting neto pozitiv prej +37 për qind, duke lënë pas kryeministrin dhe liderin e Lëvizjes Evropa Tani (PES), Milojko Spajiq, i cili ka +25 për qind, si dhe kryetarin e DNP-së, Milan Knezheviq, me +14 për qind.
Në mesin e politikanëve me bilanc pozitiv të mbështetjes janë edhe ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq (+12 për qind), lideri i Aleancës Evropiane, Boris Mugosha (+10 për qind), si dhe kryetari i DPS-së, Danijel Zhivkoviq (+5 për qind).
Kur bëhet fjalë për partitë politike, Lëvizja Qytetare URA renditet në vendin e katërt me 8,1 për qind të mbështetjes së qytetarëve. Para saj gjenden Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) me 23,6 për qind, Lëvizja Evropa Tani (PES) me 15,1 për qind dhe Nova Srpska Demokratija (NSD) me 9,3 për qind.
