Integrimi i mundshëm i sistemit arsimor serb në Kosovë duhet të përkufizohet si njohje ligjore dhe institucionale dhe jo si asimilim, duhet të sigurohet qartësi ligjore para çdo ndryshimi të mundshëm të statusit, të sigurohet koordinim thelbësor me komunitetin serb të Kosovës dhe të shmangen masat e njëanshme. Këto janë disa nga rekomandimet që dalin nga hulumtimi “Pyetjet e vështira që kemi përpara: Sistemi arsimor i serbëve të Kosovës”, i realizuar nga organizata joqeveritare Qendra për Veprime Shoqërore Afirmative (CASA).
Hulumtimi, siç u tha, është realizuar me një mostër prej 500 pjesëtarësh të komunitetit shqiptar dhe 300 pjesëtarësh të komunitetit serb, me qëllim që të hapë një debat të bazuar në fakte për disa nga “çështjet më të ndjeshme dhe politikisht më të diskutueshme që ndikojnë në marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës”.
Ndër gjetjet kryesore të hulumtimit është se integrimin e mundshëm të institucioneve arsimore serbe e kundërshtojnë gjithsej 99.4 për qind e të anketuarve nga radhët e komunitetit serb. Ndërsa, 98.7 për qind e tyre vlerësuan se integrimi do të kishte ndikim negativ në pozitën e komunitetit serb, kurse mbi 90 për qind e të anketuarve zgjodhën vazhdimin e funksionimit të shkollave dhe universitetit në sistemin e Serbisë, si skenarin më të pranueshëm.
Gjithashtu, më shumë se gjysma e të anketuarve, rreth 56 për qind, thanë se nuk do ta mbanin fëmijën e tyre në një shkollë që pas integrimit të sistemit arsimor serb në atë të Kosovës.
Nga ana tjetër, rreth 52 për qind e të anketuarve nga radhët e komunitetit shqiptar kanë qëndrim neutral sa i përket asaj nëse ndarja e sistemeve arsimore ndikon në marrëdhëniet ndëretnike. Gjashtëdhjetë për qind e të anketuarve thanë se janë pak ose aspak të informuar për përmbajtjen e mësimit në shkollat që funksionojnë në sistemin e Serbisë, ndërsa 41 për qind e të anketuarve kanë qëndrim neutral ndaj integrimit.
Ndryshe, çështja e integrimit të shëndetësisë dhe arsimit serb në Kosovë u ngrit në shtator të vitit të kaluar, kur kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se sistemi i dyfishtë i arsimit nuk është i qëndrueshëm dhe se nevojitet inkorporim dhe bashkim në një sistem unik.
Bashkimi Evropian, i cili ndërmjetëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, më herët i kishte thënë Radios Evropa e Lirë se statusi i strukturave dhe shërbimeve shëndetësore e arsimore që Serbia i mbështet në Kosovë do të zgjidhet përmes negociatave në Bruksel, në përputhje me marrëveshjet e arritura dhe ligjet në fuqi të Kosovës.
Për integrimin e shëndetësisë dhe arsimit në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit këmbëngul edhe Beogradi zyrtar, si dhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e pushtetit aktual në Serbi.
Organizata joqeveritare CASA, në raportin e saj, rekomandon që si zgjidhje e mundshme për këtë çështje të shqyrtohet roli i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin palët janë pajtuar në kuadër të dialogut të Brukselit.
