Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj tha se zgjedhja e presidentit të ri në SHBA duhet të shihet si mundësi strategjike për Kosovën, duke theksuar rolin që ai ka pasur më herët në zgjerimin e NATO-s në Ballkan.
“Ne e kemi një president në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili duhet të shihet në Kosovë si mundësi, sepse është ai i cili në mandatin e tij të parë e anëtarësoi Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi në NATO, dhe i cili ka një trashëgimi konkrete në Ballkan sa i takon zgjerimit të NATO-s. Ka një Senat dhe një Kongres, të cilët janë skajshmërisht pro zgjerimit të NATO-s,” u shpreh Hoxhaj.
Ai paralajmëroi se dinamika e sigurisë në Evropë është duke u përshpejtuar, ndërsa zhvillimet në Ukrainë mbeten të paparashikueshme.
“Ne jetojmë në një kohë kur Rusia çdo muaj e ka nga një divizion më shumë dhe lufta në Ukrainë mund të përmbyllet ndoshta këtë vit, mund të përmbyllet ndoshta në 2030, dhe kështu mund të ketë një situatë që mund të ketë një luftë edhe më të gjerë,” tha Hoxhaj.
