Deputeti i PDK-së dhe ish-ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, duke publikuar një foto nga koha kur drejtonte këtë dikaster.
Në pamjet e publikuara, Hoxhaj shihet duke vizituar një shkollë së bashku me kryeministrin e atëhershëm, Hashim Thaçi. Duke rikujtuar periudhën e tij në krye të Ministrisë së Arsimit, ai ka theksuar se atëherë ishte bërë e mundur që çdo nxënës të pajisej me libra falas, pa procedura të ndërlikuara dhe pa ua bartur barrën financiare familjeve.
“Dita e parë e shkollës duhet të jetë ditë gëzimi, dijeje dhe shprese, jo ditë brenge për prindërit se si t’i sigurojnë tekstet shkollore. Kur isha ministër i Arsimit, e bëmë të mundur që çdo nxënës të pajisej me libra falas”, ka shkruar Hoxhaj.
Ai ka kritikuar mënyrën e sigurimit të teksteve shkollore gjatë viteve të fundit, duke thënë se muajt shtator janë shoqëruar me vështirësi, vonesa dhe keqpërdorime gjatë ndarjes së fondeve.

