Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, vlerësoi në një intervistë se reputacioni i Kosovës në Uashington është dëmtuar seriozisht gjatë 16 muajve të fundit për shkak të paqëndrueshmërisë politike, zgjedhjeve të përsëritura dhe bllokadës institucionale.
Ai theksoi edhe se SHBA-ja pret nga qeveria e re që, ndër të tjera, të marrë rol në uljen e tensioneve – si brenda Kosovës ashtu edhe në rajon.
Çfarë presin SHBA-të nga qeveria e ardhshme e Kosovës pas zgjedhjeve të 7 qershorit, veçanërisht në aspektin e stabilitetit politik, qeverisjes dhe dialogut me Serbinë?
Përshtypja ime është se SHBA-të kanë qenë të qëndrueshme dhe të qarta në këtë çështje.
Ato dëshirojnë një qeveri në Prishtinë që të jetë partnere e besueshme, një qeveri që do të merret me çështjet prioritare si forcimi i institucioneve demokratike, lufta kundër korrupsionit, zbatimi i reformave të qeverisjes që janë shtyrë për shumë kohë, si dhe marrja e një roli në uljen e tensioneve si brenda Kosovës ashtu edhe në rajon.
Mendoj se Uashingtoni do të vëzhgojë me shumë kujdes nëse qeveria e re do të arrijë të zgjedhë presidentin, të formojë një koalicion të qëndrueshëm dhe të kryejë funksionet themelore të qeverisjes, me të cilat Kosova është përballur gjatë disa cikleve zgjedhore në 16 muajt e fundit.
A ka pasur gjatë fushatës mesazhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit ose zyrtarë të tjerë amerikanë që mund të interpretohen si mbështetje për ndonjë opsion politik?
Duhet të theksoj sërish se, pasi nuk jam më pjesë e administratës amerikane, mund të flas vetëm për atë që shoh nga jashtë dhe jo për diskutimet e tyre të brendshme.
Megjithatë, vlerësimi dhe përshtypja ime janë se SHBA-të kanë ruajtur neutralitetin zgjedhor.
Uashingtoni nuk mbështet parti politike apo kandidatë në zgjedhjet e brendshme të Kosovës.
Ajo që kanë bërë SHBA-të është të dërgojnë sinjale shumë të qarta politike për atë që presin nga çdo qeveri e ardhshme.
Këto pritshmëri lidhen me qeverisjen efektive, uljen e tensioneve brenda Kosovës, veçanërisht në veri, por edhe në nivel rajonal.
Mendoj se çdo politikan kosovar duhet të jetë në gjendje t’i lexojë këto sinjale.
Pezullimi i Dialogut Strategjik ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës vjeshtën e kaluar, gjatë qeverisë teknike të Albin Kurti, sipas mendimit tim ishte një mesazh i rëndësishëm.
Kjo nuk ishte mbështetje për ndonjë parti opozitare, por një mesazh i qartë se gjendja ekzistuese ishte e papranueshme për Uashingtonin dhe mendoj se ky është një faktor i rëndësishëm para këtyre zgjedhjeve.
Kosova po shkon në zgjedhje të tjera pas një bllokade institucionale disa mujore. Si ka ndikuar kjo krizë në pozitën e Kosovës në Uashington?
Mendoj se reputacioni i Kosovës në Uashington ka pësuar një goditje serioze gjatë 16 muajve të fundit.
E them këtë si dikush që ka investuar me vite në marrëdhëniet ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës dhe për të cilin kjo marrëdhënie ka rëndësi të madhe.
Megjithatë, zgjedhjet e përsëritura, dështimi për të zgjedhur presidentin dhe mbështetja në qeveri teknike kanë dëmtuar besimin në aftësinë e Prishtinës për të përmbushur disa nga obligimet e saj.
Uashingtoni bashkëpunon më mirë me partnerë që janë të parashikueshëm dhe të aftë të realizojnë atë që premtojnë.
Këtu ekziston edhe një kosto financiare.
