Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara kanë pësuar përkeqësim të ndjeshëm gjatë 16 muajve të fundit.
Në një intervistë për median serbe “Kosovo Online”, Hovenier tha se Uashingtoni pret nga qeveria e ardhshme të jetë partnere e besueshme.
Sipas tij, prioritetet amerikane mbeten forcimi i institucioneve demokratike, luftimi i korrupsionit dhe realizimi i reformave të vonuara në qeverisje.
Ai tha se Uashingtoni vëzhgon me kujdes zhvillimet politike në Kosovë dhe aftësinë e institucioneve për të funksionuar normalisht.
“Uashingtoni do të shikojë nga afër nëse qeveria e re është në gjendje të zgjedhë një president, të formojë koalicion të qëndrueshëm dhe të kryejë funksionet bazë të qeverisjes”, deklaroi Hovenier.
Ish-ambasadori theksoi se SHBA-ja ka ruajtur neutralitetin gjatë proceseve zgjedhore në Kosovë.
“Uashingtoni nuk po mbështet parti apo kandidatë në zgjedhjet e brendshme të Kosovës”, tha ai.
Megjithatë, sipas tij, administrata amerikane ka dërguar sinjale të qarta politike për atë që pret nga çdo qeveri e ardhshme.
Hovenier e cilësoi pezullimin e dialogut strategjik ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës, vjeshtën e kaluar, si një mesazh të fortë politik.
Duke folur për raportet bilaterale, ai u shpreh se pozita e Kosovës në kryeqytetin amerikan është dobësuar.
“Pozita e Kosovës në Uashington ka pësuar një goditje të vërtetë gjatë këtyre 16 muajve të fundit”, deklaroi Hovenier.
Ai ia atribuoi këtë situatë zgjedhjeve të përsëritura, vështirësive për zgjedhjen e presidentit dhe mbështetjes në qeveri në detyrë.
“Këto kanë gërryer besimin se Prishtina është në gjendje të përmbushë disa nga zotimet e saj”, tha ai.
