Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, i ka quajtur të papranueshme dhe cenim të drejtpërdrejtë të të vërtetës historike shfaqjen e pasaktësive në ekspozitën për masakrat e luftës 1998/99 në sheshin e Prishtinës.
Të premten, ekspozita e organizuar nga “Admovere” dhe “Integra”, e bazuar në librin e Shkëlzen Gashit për “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, ka nxitur reagime për pasaktësi, sidomos për klasifikimin si të armatosur për një pjesë të të vrarëve nëpër masakra. Organizatorët thonë se janë mbështetur në burime ndërkombëtare, ndërsa Kuvendi që ka mbështetur financiarisht ekspozitën ka thënë se nuk e verifikon, por ka kërkuar korrigjim të gabimeve.
Pas reagimeve, Komuna e Prishtinës ka njoftuar për pezullim të lejes për ekspozitën, ndërsa ministri Hoti ka bërë thirrje që të tërhiqen menjëherë përmbajtjet e pasakta.
Ai ka theksuar se këto s’janë gabime të thjeshta teknike, por shtrembërime që rrezikojnë të relativizojnë krimet dhe të përforcojnë narrativa të rreme. Ministri ka bërë thirrje për tërheqjen e materialeve të pasakta dhe verifikim institucional të plotë të ekspozitave publike për krimet e luftës.
Hoti ka kërkuar gjithashtu që institucionet përgjegjëse, përfshirë Prokurorinë, të shqyrtojnë këtë çështje.
Postimi i plotë:
Ekspozimi në sheshin e Prishtinës i materialeve me pasaktësi për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, është i papranueshëm dhe cenon drejtpërdrejt të vërtetën historike.
Në kuadër të një ekspozite publike për masakrat e luftës 1998/99, janë evidentuar raste ku faktet janë paraqitur gabimisht dhe, në disa raste, edhe në mënyrë të shtrembëruar.
Në rastin e masakrës në Krushë të Madhe, përveç pasaktësive në numrin e viktimave, paraqitet edhe një narrativë e rrezikshme dhe e pavërtetë, sipas së cilës gratë dhe fëmijët kinse janë lejuar të largohen, ndërsa burrat janë vrarë.
Kjo nuk qëndron.
