Mundësi të humbur e konsideron Avdullah Hoti marrëveshjen e Washingtonit me Serbinë, të nënshkruar nga vetë ai në Shtëpinë e Bardhë para pesë vjetësh, në prani të presidentit amerikan Donald Trump.
Ish-kryeministri tha se ajo marrëveshje ishte “një arritje historike për Kosovën që krijonte mundësi unike” për vendin.
“Sot bëhen pesë vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Uashingtonit, një arritje historike për Kosovën që krijonte mundësi unike për: (1) fuqizimin e partneritetit strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së, si dhe (2) vendosjen e Kosovës në qendër të zhvillimeve ekonomike në rajon përmes projekteve madhore infrastrukturore”, shkroi ai në një postim në Facebook.
Hoti tregoi përfitimet që do t’i vinin vendit nëse do të zbatoheshin projektet e përfshira në atë marrëveshje.
“Po të zbatoheshin projektet e mëdha infrastrukturore të përfshira në këtë marrëveshje, Kosova sot do të merrte rolin e saj si nyje rrugore, hekurudhore dhe energjetike (përmes gazit) në rajon dhe përtej, me Fushë-Kosovën si port i thatë tregtar që do të lidhte portet e Durrësit dhe të Selanikut, për të vazhduar në veri për Evropën Qendrore. Në aspektin politik, marrëveshja solli njohjen nga Izraeli, duke e thyer bllokadën disa-vjeçare të mungesës së njohjeve dhe duke e avancuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës”.
“Për fatin e keq të Kosovës dhe të secilit qytetar, marrëveshja u neglizhua nga institucionet e Kosovës të dala nga zgjedhjet e vitit 2021. Kur u nënshkrua kjo marrëveshje, u kritikua ashpër nga opozita e atëhershme. Sot, pas pesë vitesh, të gjithë pa përjashtim janë të bindur për rëndësinë e saj strategjike, përfshirë ata që e cilësonin si tradhti kombëtare”, shkroi ai .
Hoti renditi pikat e marrëveshjes që tha se janë realizuar “në muajt shtator 2020 – mars 2021 në Qeverinë Hoti” dhe të tjera që kishin “nisur së zbatuari”:
1. Ministria e Infrastrukturës ka diskutuar gjerësisht me DFC (dhe BE) për këto projekte: vazhdimin e autostradës për Merdarë; lidhjen e autostradës për Durrës me autostradat për Shkup, Gjilan dhe Luginë të Preshevës përmes segmentit Shtimje-Duhël; studimin e para-fizibilitetit për hekurudhën për Durrës dhe projekte të tjera.
2. Ministria e Brendshme ka funksionalizuar pikën kufitare në Merdarë.
3. Ministria e Arsimit ka bërë përgatitjet për takimin e Qendrave NARIC Kosova dhe NARIC Serbia për njohjen reciproke të diplomave.
4. Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka punuar me ekspertët amerikanë në studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit, i cili është finalizuar në qeverinë pasuese.
