Diplomati amerikan, Christopher Hill, ka treguar se Sllobodan Millosheviqi kurrë s’kishte qenë i gatshëm të bënte kompromis për Kosovën.
Hill ka treguar për sfidat e negociatave dhe vendimet e asaj periudhe.
“Ai na ndihmoi në Bosnjë, por nuk pranoi kurrë kompromis për Kosovën – nuk ishte partner i besueshëm. Ndonjëherë nuk ke shumë zgjedhje; nuk janë zgjedhje ideale, por janë ato që ke. Kam punuar fort për zgjidhje politike pas Rambujesë. Nuk e arrita gjithmonë, por bëra më të mirën time. Përdorimi i forcës hap probleme të tjera, dhe unë fajësoj Millosheviçin sepse ai nuk donte të punonte me ne, por askush nuk duhet të jetë i lumtur për përdorimin e forcës”, tha Hill në intervistën për “Euronews Albania”.
Kjo, sipas Hill, solli situatën në një pikë shumë të rrezikshme dhe vështirësinë e diplomacisë ndërkombëtare në gjetjen e një zgjidhjeje pa përdorur forcën.
“Ai ka vdekur tashmë, pra është më lehtë që të flasësh për liderë që nuk janë më mes nesh. Unë mendoj se ai ishte i gatshëm që të gjendej një zgjidhje në Bosnje dhe në fakt na ndihmoi për çështjen e Bosnjës. Nuk ishte i gatshëm për Kosovën, nuk ishte fare i gatshëm për Kosovën që të gjenim një zgjidhje dhe prandaj përfunduam në një situatë të rrezikshme në Kosovë e cila mund të përkeqësohej edhe më tej. Kur ai thoshte se do t’i bënte gjërat, përgjithësisht i bënte, por ti asnjëherë nuk ndjeje se kishe një partner. Mendoj se ne kemi bërë mjaft progres me Serbinë, por ata kanë probleme të mëdha energjetike sepse varen nga Rusia, e cila përdor energjinë si armë. Është e rëndësishme të ndihmojmë Serbinë të largohet nga ky kërcënim. Kam punuar shumë edhe mbi marrëdhëniet midis Serbisë dhe Ukrainës, por ka dhe çështje ku duhet të vijojmë punën” u shpreh Hill.
