Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka argumentuar se afati 60-ditor për kërkimin e miratimit nga Kongresi lidhur me luftën SHBA–Izrael me Iranin është “ndalur” për shkak të armëpushimit.
Hegseth iu përgjigj pyetjeve të senatorëve amerikanë të enjten.
E premtja shënon 60 ditë që nga njoftimi zyrtar i presidentit Donald Trump drejtuar Kongresit për sulmet ndaj Iranit më 2 mars. Ligji amerikan kërkon që presidenti të “ndërpresë çdo përdorim të forcave të armatosura të SHBA-së” brenda 60 ditëve nga një njoftim i tillë, përveç nëse Kongresi e lejon vazhdimin.
Një zyrtar i lartë i administratës tha se armiqësitë me Iranin “kanë përfunduar”, duke theksuar se një armëpushim është në fuqi që nga fillimi i prillit, raporton BBC , transmeton Sinjali.
Pavarësisht armëpushimit, palët ende nuk kanë arritur një marrëveshje afatgjatë përmes negociatave. Ndërkohë, ngushtica e rëndësishme e Hormuzit mbetet praktikisht e mbyllur, duke shkaktuar ndikime ekonomike në mbarë botën.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të senatorëve të enjten, Hegseth tha: “Ne jemi në një armëpushim tani, që sipas kuptimit tonë do të thotë se ora 60-ditore ndalet ose pezullohet gjatë armëpushimit.”
Senatori demokrat Tim Kaine u përgjigj: “Unë nuk besoj se ligji e mbështet këtë. Mendoj se 60 ditët përfundojnë ndoshta nesër dhe kjo ngre një çështje shumë të rëndësishme ligjore për administratën.”
