Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, duke komentuar deklaratën e nënkryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, se me ish-presidenten Vjosa Osmanin opozita po kalkulon në uljen e përqindjes së Vetëvendosjes, tha se kjo parti nuk e mbajti fjalën ndaj saj për mandatin e dytë.
I pyetur për këtë deklaratë të Konjufcës Haziri tha: “Nuk e di pse Vjosa Osmani duhet të përdoret nga Lëvizja Vetëvendosje, parti e cila nuk ia ka mbajtur fjalën. Vjosa Osmani ka hyrë më 28 dhjetor në zgjedhje si mundësi që me pasë mandatin e dytë për presidente nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje. Së paku, ajo këtë e ka dëshmuar, e ka deklaruar”, tha ai për Kosova Press.
Sipas Vetëvendosjes, LDK nuk i ka pasë numrat në tërësi?, u pyet Haziri, i cili e mohoi këtë pretendim.
Ai tha se marrëveshjen do ta kishin bërë me Vjosa Osmanin dhe jo me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti, por tha se s’kanë arritur deri aty.
“Numrat [LDK-ka] i ka pasë. Vetëvendosja duhet me i dhënë numrat e mandej LDK-ja kërkon marrëveshje vetëm me Vjosa Osmanin. Sikur herën e kaluar, ne s’kemi bërë marrëveshje me Albin Kurtin për Vjosa Osmanin në vitin 2021, ne kemi bërë marrëveshje me Vjosa Osmanin dhe ia kemi dhënë votat dhe e kemi mbajtur fjalën. Edhe tash, te të 15 deputetët. Është çështje e LDK’së në çfarë forme e kishim arritur marrëveshjen, por nuk kemi ardhur deri aty fare”.
