Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se partia e tij nuk e ka kundërshtuar rezolutën për Dhomat e Specializuara, por ka zgjedhur të mos marrë pjesë në veprimet e tjera që kanë pasuar.
Ai ka theksuar se LDK-ja vazhdon të kërkojë drejtësi për të gjithë, si dhe bashkëpunim ndërmjet subjekteve politike për çështjet me interes për Republikën e Kosovës.
“Nuk ka asgjë të re në këtë rrethanë. LDK-ja nuk e ka kundërshtuar, sikur edhe në një rast vitin e kaluar. Ka mbështetur rezolutën si vullnet i përbashkët. Në rezolutë shprehet vullneti politik. Por kur vijnë këtë veprimet e tjera, natyrisht, mospjesëmarrja me kundërshtim është e mjaftueshme për rolin politik që në këtë proces LDK-ja ka pasur dhe duhet me kuptu. Ajo që sot po pohojmë, në shtëpinë e të varurit mos e përmend litarin, është diçka në të cilën ne duhet me vazhdu gjithmonë e me ndërtu edhe me gjetë mundësi me ndërtu bashkëpunim për të gjitha çështjet që janë në interes të Republikës. Kemi kërkuar drejtësi për të gjithë, kemi thënë që drejtësia duhet me u vendos për të gjithë në Kosovë, edhe jo vetëm ne, më vonë edhe ndërkohë edhe tash janë bashkangjitur edhe parti të tjera. Dhe kjo është e mirë, tash po punohet që me u vendos drejtësi për të gjithë”, tha ai për KosovaPress.
I pyetur për reagimet ndërkombëtare ndaj ndryshimeve ligjore për Dhomat e Specializuara, Haziri ka theksuar se vendimi është marrë nga Kuvendi i Kosovës.




