Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka bërë thirrje për mobilizim institucional dhe koordinim shtetëror gjatë dy viteve të ardhshme, lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Haziri, i ftuar në “Debat Plus”, ka theksuar se angazhimi duhet të jetë shtetëror dhe jo partiak, me qëllim që të shfrytëzohen të gjithë mekanizmat e mundshëm për përmbylljen e këtij kapitulli, pa e zbehur, sipas tij, kontributin e çlirimtarëve.
“Edhe këto dy vite duhet me tregu durim, mobilizim shtetëror, jo partiak, jo dogmatik, por mobilizim institucional, koordinim e gjetje të mekanizmave, edhe mos me u kursy që gjithçka me u kthy në vendin e vet edhe me u mbyll ky kapitull që nuk guxon me ia zbeh as peshën as shkëlqimin çlirimtarëve në Kosovë”, u shpreh Haziri.
Ai ka vlerësuar se serioziteti i aktakuzave duhej të ishte kuptuar më herët, duke përmendur paralajmërimin e prokurorit Smith, i cili, sipas tij, kishte ndikuar që ish-presidenti, Hashim Thaçi, të mos udhëtonte në Shtëpinë e Bardhë gjatë qëndrimit në Vjenë.
“Është dashtë me ditë që në momentin që vetëm paralajmërimi i prokurorit Smith ka arrit me e ndalë në atë kohë ish-presidentin në Vjenë, që mos me shku në Shtëpinë e Bardhë, se sa serioze mund të jenë aktakuzat ndaj procesit”, tha Haziri.



