Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se nga 1 mijë e 752 persona që aktualisht mbahen nëpër burgjet e vendit, vetëm 4 prej tyre janë të dënuar për veprën penale “Fajdeja” dhe 8 janë në paraburgim.
Për këto të dhëna ajo i është referuar Shërbimit Korrektues të Kosovës, teksa reagimi i saj vjen pas njoftimit se dy të dyshuarit për vrasjen e trefishtë në Gjilan, Mefail dhe Edonis Shkodra, ishin liruar me dorëzani në tetorin e vitit të kaluar me kërkesë të Prokurorisë Speciale, tre muaj pasi ishin arrestuar për fajde dhe detyrim në një aksion të Policisë në Gjilan.
“Ky realitet është alarmues dhe tregon që pavarësisht ndikimit të madh që këto vepra kanë mbi jetën e qytetarëve, pasojat e tyre sociale dhe shpesh edhe tragjike, sistemi ynë i drejtësisë nuk po i trajton me seriozitetin dhe vendosmërinë që kërkohet.
