Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, ka shprehur skepticizëm për efektet që mund të kenë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara në Hagë, duke vlerësuar se ato mund të sjellin reagime nga faktori ndërkombëtar, pa ndikuar në funksionimin e kësaj gjykate.
Duke folur në Five në TV Dukagjini, Hasani ka thënë se që nga hartimi i ligjit ka qenë skeptik nëse ai mund t’u shërbejë katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
“Edhe kur është nxjerrë ky ligj, të them të drejtën, kam qenë skeptik në atë kuptim që ky ligj mund të ketë efekt ose mund t’u shërbejë katërshes që është në Hagë, duke e ditur që ne nuk kemi mundësi të ndërhyjmë në këto dhoma”, ka deklaruar Hasani.
Sipas tij, ndryshimet ligjore mund të shkaktojnë një varg reagimesh nga faktori ndërkombëtar dhe, për më tepër, mund ta penalizojnë Kosovën në proceset në të cilat ndodhet, ndërsa nuk pret që ato të kenë efekt në funksionimin e Dhomave të Specializuara.
“Sigurisht do të jemi dëshmitarë, do të shohim që ky ligj, përpos që ka krijuar një zinxhir reagimesh nga faktori ndërkombëtar, ndoshta do të na penalizojë në proceset në të cilat ndodhemi. Për efekte nuk do të ketë, ngase nuk shoh mënyrë se si mund të zbatohet. Ngase nuk shoh mënyrë se s mund të zbatohet. Se ne vetvetiu kemi hequr dorë për të ndërhyrë në ndryshimin e funskionalizmit të këtyre dhomave”, ka thënë ai.
Hasani ka rikujtuar se edhe themelimi i Dhomave të Specializuara, përfshirë letrën e ish-presidentes Atifete Jahjaga dhe amendamentet kushtetuese, është bërë përmes një procesi institucional që, sipas tij, është ndërtuar me një metodologji të ngjashme me atë të Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë.
