Hasan Krasniqi, i cili është shkarkuar nga pozita e kryeshefit ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”, ka reaguar publikisht përmes një postimi në Facebook, ku ka përshkruar atë që pretendon se ndodhi gjatë mbledhjes së Bordit.
Krasniqi ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar ndërprerja e kontratës së operatorit ekonomik “Liqeni i Dukagjinit”, ndërsa ai ka kërkuar që për këtë çështje të merret një vendim formal nga aksionarët ose nga Bordi.
Në postimin e tij, Krasniqi ka shkruar se kryesuesi i Bordit i kishte thënë: “Ju duhet të ndërpreni kontratën e operatorit ekonomik ‘Liqeni i Dukagjinit’.”
Ai pretendon se është përgjigjur duke kërkuar një vendim zyrtar, me arsyetimin se ndërprerja e kontratës mund të ketë pasoja të mëdha juridike dhe ekonomike.
“UNË: Kryesues, unë kam kërkuar dhe po kërkoj edhe tani një vendim nga Aksioneri ( Ministri e Ekonomisë) ose nga ju Bordi me vetëm dy rreshta të shkruar dhe po e ndërpres tani menjëherë kontratën.”, ka shkruar Krasniqi.
Sipas tij, kryesuesi i Bordit më pas i kishte kërkuar të nënshkruante ndërprerjen e kontratës ose të jepte dorëheqje.



