Në mesin e dhjetë shteteve të Evropës, Kosova u rendit si vendi i dytë më i varfër, nga platforma World Atlas, sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Kosova nuk ka arritur ritmin e zhvillimit që do të duhej për ta përmirësuar standardin jetësor të qytetarëve, prandaj vazhdon të konsiderohet “një ekonomi e vogël dhe e varfër”, thotë Blendi Hasaj, drejtor ekzekutiv i Institutit GAP.
“Ne jemi diku tek 30% i mesatares së Bashkimit Evropian, sa i përket Bruto Produktit Vendor për kokë banori. Kjo tregon që nuk kemi arritur ta kemi një zhvillim më të përshpejtuar ekonomik”, shprehet Hasaj në podkastin 5 pyetje të Radios Evropa e Lirë.
Sipas tij, matjet makroekonomike nuk e pasqyrojnë gjithmonë tërësisht realitetin social në vend, pasi brenda mesatareve ekzistojnë pabarazi të mëdha ekonomike.
“Këto të dhëna janë makro dhe tregojnë një mesatare, por brenda tyre ka shumë pabarazi. Mjafton që disa persona të kenë paga shumë të larta, dhe mesatarja e pagës që del krijon përshtypjen se situata është më e mirë sesa është realisht”, tregon Hasaj.
Duke folur për vendimin e Qeverisë në detyrë për të ndarë nga 100 euro për kategori të ndryshme, Hasaj kritikon mënyrën se si zbatohet ky program, sidomos gjatë periudhave zgjedhore.
“Këto janë zgjidhje ad hoc. Nuk po bëhen programe të strukturuara dhe të targetuara mirë. Për më tepër, është problematike që paratë publike të shpërndahen në kohë zgjedhjesh”, shprehet ai.
Hasaj thotë se inflacioni dhe rritja e çmimeve të produkteve bazike kanë rënduar jetën e qytetarëve, veçanërisht të familjeve me të ardhura të ulëta dhe punëtorëve të sektorit privat.
