Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, e ka cilësuar vitin 2025 si “vit të çuar dëm” për Kosovën, duke e lidhur drejtpërdrejt mungesën e përparimit politik dhe institucional me pamundësinë për të shtyrë përpara dialogun me Serbinë dhe agjendën euroatlantike të vendit .
Sipas tij, ngërçi i brendshëm politik dhe vonesat në formimin e institucioneve funksionale kanë prodhuar pasoja reale për stabilitetin, qeverisjen dhe besueshmërinë ndërkombëtare të Kosovës.
Hargreaves, ambasadori britanik në Kosovë thotë se Kosova ka sfida të rëndësishme përpara dhe se Mbretëria e Bashkuar pret shpejt formimin e një qeverie të re pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Kjo, siç vëren ai, do të kërkojë bashkëpunim dhe kompromis mes subjekteve politike.
Në vitin që po vjen, ai pret përparim në dialogun me Serbinë, përfshirë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Në vitin 2026, ne presim që si Kosova, ashtu edhe Serbia të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe t’i zbatojnë marrëveshjet ekzistuese – duke përfshirë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe – në mirëbesim, dhe t’u japin përparësi hapave praktikë që e përmirësojnë jetën e të gjitha komuniteteve. Por, për më tepër, këto marrëveshje janë themeli i shtetësisë së Kosovës dhe rruga për ta zgjidhur statusin e saj me shtetet që ende nuk e kanë njohur atë. Komuniteti ndërkombëtar duhet dhe do të mbetet aktivisht i përfshirë, duke ofruar mbështetje politike dhe stimuj të qartë për progres. Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë ta konsiderojë këtë si thelbësore për partneritetin tonë me Kosovën. Por bashkësia ndërkombëtare nuk mund ta dëshirojë një normalizim të qëndrueshëm të marrëdhënieve më shumë se vetë vendet në dialog – përgjegjësia për përparimin bie kryesisht mbi supet e politikanëve të të dyja vendeve”, tha ai pë Express.