Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se ish-opozita ka votat e nevojshme për të formuar një qeveri të re.
Haradinaj ka thënë se ish-opozita ka kapacitetin për të formuar qeverinë menjëherë, duke shtuar se ka më shumë vota shqiptare sesa Vetëvendosja.
Në Debat Plus, kreu i AAK-së shpjegoi se opozita ka 52 nënshkrime potencialisht të gatshme për të siguruar formimin e qeverisë, përveç 9 votave të pakicave joserbe që sipas tij, janë të garantuara nga vetë ai.
“Po të donte tani opozita edhe tani e bën qeverinë. Sonte kur po flasim deri nesër në 12 të ditës mundemi me çu shumicën. Më shumë kemi ne votë shqiptare sesa VV-ja. Katër vota i kemi më shumë. Në momentin që ne i kemi 52 nënshkrime të gatshme për një qeveri unë t’i garantoj ato 9 tjerat të pakicave joserbe. Vijnë menjëherë. Ata vijnë me ata që e kanë shumicën. Me pas mandatin unë, ta garantoj çdo votë të pakicave joserbe në Parlament. Çdo votë të secilit”, ka thënë Haradinaj në Debat Plus.
