Ish-kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe në sheshin “Edith Durham” në Prishtinë, në kuadër të Aktit të Përkujtimit, së bashku me aleatët strategjikë.
Përmes një postimi, Haradinaj ka shprehur respektin e tij për sakrificën e luftëtarëve britanikë që ranë në luftërat për liri, duke veçuar edhe ata që humbën jetën në Kosovë.
Ai ka theksuar se në këtë ditë, kur Britania e Madhe dhe Commonwealth-i përkujtojnë të rënët që nga Lufta e Parë Botërore, përkulet me nderim para sakrificës së tyre.
Postimi i plotë:
Sot, në përkujtim të heronjve që kanë dhënë gjithçka për paqen dhe lirinë, në sheshin “Edith Durham” të kryeqytetit, u bashkuam me aleatët tanë strategjikë në nderim të Aktit të Përkujtimit.
Në këtë ditë, kur Britania e Madhe dhe Commonwealth-i kujtojnë të rënët që nga Lufta e Parë Botërore, shprehëm respektin tonë të thellë për sakrificën e luftëtarëve britanikë.
Përkulemi me nderim para sakrificës së të gjithë të rënëve britanikë, veçanërisht të atyre që kanë rënë në Kosovë.



