Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, e ka prezantuar zotimin e katërt të programit qeverisës, i cili fokusohet në arsimin cilësor, zhvillimin e aftësive për të ardhmen dhe krijimin e më shumë mundësive për të rinjtë.
Në një konferencë për media të enjten, Hamza tha se arsimi do të trajtohet si prioritet kombëtar nga qeveria e udhëhequr nga PDK-ja.
“Zotimit tonë të katërt të qeverisjes: Arsim cilësor, aftësi për të ardhmen dhe mundësi për të rinjtë. Arsimi është investimi më i rëndësishëm që mund të bëjë një shtet. Ai përcakton jo vetëm të ardhmen e individit, por edhe zhvillimin ekonomik, social e demokratik të vendit. Në një sistem arsimor cilësor, aftëson qytetarët, ndërton ekonomi konkurruese dhe institucione të qëndrueshme. Prandaj qeveria e udhëhoqur nga Partia Demokratike e Kosovës do ta trajtojë arsimin si prioritet kombëtar. Sot, sistemi ynë arsimor përballet me shumë sfida serioze: cilësi të pabarabartë të mësimdhënies, mungesë të infrastrukturës moderne, mospërputhje me nevojat e tregut të punës dhe mbështetje të pamjaftueshme për mësimdhënësit dhe studentët. Këto sfida kërkojnë reforma të thella, investime serioze dhe vizion afatgjatë. Në qendër të këtij vizioni është rinia e Kosovës.”, u shpreh Hamza.
Ai tha se kapitali më i madh i Kosovës janë të rinjtë dhe kapacitetet njerëzore, duke theksuar se synim i PDK-së është krijimi i kushteve që ata të ndërtojnë jetën dhe karrierën e tyre në vend.
