Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës njoftoi se sot ka biseduar në telefon me ish-presidentin e vendit, Hashim Thaçi, një ditë pasi Trupi Gjykues i Gjykatës Speciale në Hagë vendosi ta shtyjë edhe një herë shpalljen e aktgjykimit në çështjen gjyqësore ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e caktuar përfundimisht 16 shtatorin si datën për ta kumtuar vendimin.
Bedri Hamza tha se ditë më parë kishte folur edhe me ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli.
“Sapo përfundova një bisedë telefonike me Presidentin Thaçi. Edhe me Presidentin, ashtu si me Kryetarin Veseli disa ditë më parë, folëm për Kosovën, familjet, miqtë tanë dhe, mbi të gjitha, për qytetarët që nuk kanë reshtur asnjë ditë së besuari në rikthimin e tyre. Folëm edhe për pritjen e gjatë për drejtësi, një pritje e rënduar nga shtyrjet e vazhdueshme të shpalljes së aktgjykimit. Megjithatë, një gjë mbetet e qartë: drejtësia mund të vonohet, por nuk duhet të tjetërsohet”, shkroi ai në një postim në Facebook.
