Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar pas raportimeve të fundit për mirëqenien dhe zhvillimin ekonomik në Evropë, duke ngritur shqetësimin për gjendjen sociale dhe ekonomike në vend.
Hamza ka deklaruar se Kosova është renditur ndër dy vendet më të varfra në Evropë, me vetëm Ukrainën, e cila ndodhet në gjendje lufte, para saj.
“Kosova u rendit ndër dy vendet më të varfra në Evropë, me vetëm Ukrainën, e cila është në gjendje lufte, para nesh. Një lajm që duhet të na shqetësojë të gjithëve, sepse tregon qartë kah po rrëshqet vendi ynë”, ka shkruar Hamza.
Sipas tij, kjo gjendje po reflektohet drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve dhe familjeve kosovare, të cilat po përballen me vështirësi ekonomike, rritje çmimesh dhe mungesë perspektive për të ardhmen.
Ai ka kritikuar qeverisjen e viteve të fundit, duke thënë se fokusi i pushtetit ka qenë në përçarje dhe propagandë, në vend të zhvillimit dhe mirëqenies së qytetarëve.
