Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, mori pjesë në Sesionin Plenar të Takimeve Vjetore 2026 të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Grupit të Bankës Botërore, të mbajtura në Bangkok.
Sesioni Plenar përfaqëson një nga ngjarjet kryesore të Takimeve Vjetore, duke mbledhur përfaqësuesit e vendeve anëtare të dy institucioneve. Në kuadër të sesionit, të pranishmëve iu drejtuan Presidenti i Grupit të Bankës Botërore, z. Ajay Banga, Drejtoresha Menaxhuese e FMN-së, z. Kristalina Georgieva, si dhe Kryesuesi i Takimeve Vjetore dhe Presidenti i Bankës Qendrore të Paraguait, z. Carlos Carvallo Spalding.
Në adresimet kryesore u trajtuan perspektiva ekonomike globale, pasiguritë gjeopolitike dhe presionet inflacioniste, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit të çmimeve, forcimit të qëndrueshmërisë së sistemeve financiare dhe rindërtimit të hapësirës fiskale për përballimin e goditjeve. Vëmendje e veçantë iu kushtua gjithashtu mobilizimit të kapitalit privat, krijimit të vendeve të punës dhe përmirësimit të qasjes në financim për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme. Në këtë kuadër, u theksuan mundësitë që ofron inteligjenca artificiale për produktivitetin dhe zhvillimin, si dhe nevoja për menaxhimin e rreziqeve teknologjike dhe forcimin e reziliencës kibernetike.
