Sot Franca feston Ditën e saj Kombëtare, e njohur ndryshe si Dita e Bastijës, një datë që shënon fillimin e Revolucionit Francez dhe triumfin e vlerave të lirisë, barazisë dhe vëllazërisë.
I ftuar në emisionin e mëngjesit në RTK, ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot, shpjegoi rëndësinë e kësaj feste dhe lidhjen e fortë që populli francez ka me idenë e Republikës dhe demokracisë.
Guérot, tha se 14 Korriku, Dita Kombëtare e Francës, përfaqëson vlerat mbi të cilat është ndërtuar Republika Franceze – lirinë, barazinë dhe vëllazërinë duke theksuar se këto mbeten në themel të identitetit të shtetit francez.
“14 korriku është festa kombëtare prej vitit 1880, një shekull pas Bastijës. Pra, kemi themeluar Republikën, demokracinë. Këto janë idetë e Republikës, me të cilat francezët janë shumë të lidhur: liria, barazia dhe vëllazëria. Këto janë në themel të Republikës”, u shpreh ai.
Ambasadori foli edhe për mënyrën se si shënohet kjo ditë në Francë, duke përmendur tri aktivitetet kryesore.
“Në Francë i kemi tre momente kryesore. Më 13 korrik është tradita e ballos së zjarrfikësve. Më 14 korrik mbahet parada ushtarake, ndërsa në mbrëmje organizohen fishekzjarre në të gjithë Francën”, tha Guérot.
Duke folur për marrëdhëniet me Kosovën, ambasadori theksoi se Franca ka qenë mbështetëse e saj që nga fillimi.
“Franca është përkrah Kosovës prej fillimit. Franca është një aleat, një mik i besueshëm, solidar në qëndrueshmëri, në vazhdimësi. E kemi mbështetur pavarësinë e Kosovës, krijimin e shtetit të Kosovës”, deklaroi ai.
Sipas Guérot, fokusi aktual i bashkëpunimit është mbështetja për zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke veçuar organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 në Prishtinë.
“Do të mund të ndihmojmë, të kontribuojmë në organizimin e mirë të Lojërave Mesdhetare në vitin 2030 në Prishtinë. Ne i kemi pasur Lojërat Olimpike në vitin 2024 dhe kanë qenë mjaft të suksesshme. Jemi të gatshëm të ndajmë përvojën tonë me Kosovën dhe ta ndihmojmë në mënyrë konkrete, në mënyrë që Lojërat Mesdhetare të jenë një sukses dhe një festë e madhe, një imazh i mirë për Kosovën”, tha ambasadori francez.
