Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Hysni Gucati, e ka përshëndetur formimin e grupit punues për çështjen e Gjykatës Speciale, duke shprehur shpresën se në këtë proces do të përfshihen të gjitha partitë politike, deputetët dhe ekspertët juridikë. Ai ka paralajmëruar gjithashtu protesta para zyrave të Bashkimit Evropian nëse nuk realizohen synimet e kësaj iniciative.
Gucati, ka thënë se formimi i grupit punues është një hap i rëndësishëm, edhe pse, sipas tij, kjo iniciativë është ndërmarrë me vonesë.
Ai ka theksuar se çështja e Gjykatës Speciale përbën një sfidë të madhe dhe ka përshëndetur iniciativën e kryeministrit Albin Kurti për formimin e këtij grupi.
“Është bërë shumë mirë që është bërë ky grup punues. Është pak me vonesë, por prapë është shumë mirë që është bërë, për arsye se, duke e ditur që ne gjendemi para një sfide shumë të madhe dhe kemi një akuzë shumë të madhe para një kauze kombëtare, unë e përshëndes kryeministrin Kurti që e ka marrë iniciativën dhe e ka bërë grupin punues për Gjykatën Speciale”, ka deklaruar Gucati.
Ai ka shprehur shpresën që në këtë proces të bashkohen të gjitha partitë politike, deputetët dhe juristët, me qëllim që të punohet për çështjen e Gjykatës Speciale dhe të shqyrtohen mundësitë për veprime të mëtejshme juridike.
Kreu i OVL-UÇK-së ka folur edhe për vendimet e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se mbetet optimist se vendimi i shkallës së parë do të rrëzohet në Gjykatën e Apelit.
“Njëri gjithmonë duhet të jetë optimist dhe nuk duhet ta humbim shpresën. Ne jemi shumë optimistë se në Apel ky vendim do të rrëzohet”, ka thënë Gucati.
Ai ka shprehur kritika ndaj Gjykatës Speciale dhe mënyrës se si, sipas tij, është zhvilluar procesi gjyqësor. Gucati ka ngritur pretendime për lidhje të personave të përfshirë në proces me Serbinë, si dhe ka kritikuar vendimet e dhëna ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
Sipas tij, dënimet e shqiptuara ndaj pjesëtarëve të UÇK-së nga gjykata të ndryshme ndër vite janë shqetësuese. Ai ka përmendur edhe shifrën prej 645 vjetësh burgim, për të cilën ka pretenduar se u është shqiptuar pjesëtarëve të UÇK-së.



